Një 36-vjeçare, shtatzënë në muajin e shtatë, humbi jetën ditën e djeshme gjatë transportit me autoambulancë drejt Tiranës, ndërsa për rastin kanë nisur hetimet ndaj tre mjekëve të maternitetit të Pogradecit.
Bëhet fjalë për Marjana Bunajn, e cila mbrëmjen e 30 gushtit është paraqitur në maternitetin e Pogradecit në gjendje të rënduar shëndetësore, pasi kishte kriza të forta në bark.
Sipas të dhënave të bëra publike, 36-vjeçarja është ekzaminuar nga tre mjekë, dy kirurgë dhe një reanimator. Fillimisht ajo është futur në reanimacion, ku i është dhënë edhe gjak, ndërsa pas vlerësimit të gjendjes shëndetësore është vendosur që të transportohej drejt Tiranës për ndihmë të specializuar.
Por gjatë rrugës gjendja e saj është përkeqësuar. Ajo është dërguar në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku është konstatuar se kishte humbur jetën.
Pas ngjarjes, motra e 36-vjeçares ka bërë kallëzim në polici, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave. Ajo ka deklaruar se nëse reagimi i mjekëve do të kishte qenë më i shpejtë, motra e saj mund të kishte shpëtuar.
Marjana Bunaj priste të bëhej nënë për herë të parë.
Ndërkohë, ndaj tre mjekëve ka nisur procedimi penal për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
Për rastin ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka kërkuar një vlerësim të plotë dhe të pavarur të mënyrës se si është trajtuar pacientja, nga momenti i paraqitjes në spital deri në përfundimin e trajtimit.
Trupi i 36-vjeçares ndodhet në morgun e spitalit të Tiranës.
Njoftimi i Policisë
*Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: B. D., 35 vjeçe, banues në Elbasan, A. T., 40 vjeç, dhe S. Ç., 34 vjeç, të dy banues në Pogradec, me detyrë mjekë në maternitetin e Pogradecit. *
Mbrëmjen e datës 30.08.2026, është paraqitur në maternitetin e Pogradecit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, shtetasja M. K., 36 vjeçe, 7 muajshe shtatzënë. Pas ekzaminimit nga këta tre mjekë, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë, për ndihmë mjekësore të specializuar në një maternitet në Tiranë, por duke qenë se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë rrugës, ajo është dërguar në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku u konstatua se kishte humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.


