Një kërcënim për bombë ka alarmuar mëngjesin e kësaj të enjteje disa institucione në qytete të ndryshme të vendit. Mes institucioneve të përfshira janë Bashkia Durrës, Gjykata e Durrësit, Gjykata e Elbasanit, Gjykata e Lezhës, Gjykata e Vlorës, si dhe Bashkia, Prokuroria dhe Spitali i Vlorës.
Institucionet kanë marrë në adresat e tyre elektronike një mesazh kërcënues, ku pretendohej se në ndërtesa ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente pas dy orësh.
Në e-mail shkruhej: “Përshëndetje. Ky është shteti Islamik. Me vullnetin e Allahut, kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë pas dy orësh. Pas kësaj, ju të pa fe do të coptoheni. Allahu Akber”.

Pas marrjes së mesazhit, Policia e Shtetit ka ndërmarrë kontrolle në institucionet që kanë marrë kërcënimin. Kontrollet janë kryer edhe në ambientet e SPAK, ku janë përdorur qen antieksplozivë.
Nga verifikimet e kryera deri tani, nuk është konstatuar asnjë lëndë shpërthyese apo objekt tjetër që mund të përbëjë rrezik për sigurinë e institucioneve dhe punonjësve.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
“Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.”


