Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën malore mbi fshatin Dukat, duke u përhapur gjatë natës në drejtim të Malit të Çikës.
Zjarri është shfaqur rreth orës 19:00 të mbrëmjes së kaluar, fillimisht në katër vatra. Që prej mbrëmjes së djeshme, administratori i zonës, banorë të Dukatit dhe një grup zjarrikësish janë angazhuar në përpjekjet për mbajtjen nën kontroll të flakëve dhe për të ndihmuar në përballimin e situatës.
Gjatë orëve të natës, zjarri është përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme, duke e vështirësuar ndërhyrjen e forcave në terren.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe kanë nisur operacionin për izolimin e vatrave. Në terren janë angazhuar edhe rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura, nën drejtimin e strukturave të Emergjencave Civile.
Terreni i thyer dhe malor e bën të vështirë ndërhyrjen nga toka me mjet zjarrfikës ndërsa përmasat e zjarrit janë të dukshme edhe nga distanca. Operacioni vijon me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet.
Aktualisht, era nuk është e fortë dhe kushtet atmosferike nuk favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve. Megjithatë, një forcim i erës do të shtonte rrezikun që zjarri të avancojë në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Përveç forcave në terren, operacionit i është shtuar edhe ndërhyrja nga ajri. Dy avionët “Air Tractor” kanë nisur fluturimet mbi zonën e përfshirë nga zjarri, me qëllim hedhjen e ujit dhe vënien e flakëve nën kontroll.
Forcat zjarrfikëse, efektivët e ushtrisë, administratori dhe banorët e zonës, së bashku me strukturat e emergjencave, vijojnë përpjekjet për izolimin e plotë të vatrave dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt zonave të mbrojtura.


