Një 39-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Fierit, pasi u konstatua duke ndërtuar pa leje një objekt të destinuar për aktivitet bar-kafe në plazhin e Semanit.
Sipas policisë, gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Fierit evidentuan punimet në zonën e plazhit.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi me inicialet J. M., 39 vjeç, banues në fshatin Gjokalli, kishte nisur ndërtimin e objektit pa u pajisur me lejen përkatëse nga organet kompetente.
Gjatë kontrolleve u konstatua gjithashtu se 39-vjeçari dyshohet se kishte punësuar në mënyrë të paligjshme edhe tre persona të tjerë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier bënë arrestimin e tij në flagrancë për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Punësim i paligjshëm”.
Policia bën me dije se kontrollet dhe verifikimet në terren do të vijojnë në të gjithë qarkun e Fierit, me fokus evidentimin e ndërtimeve pa leje dhe veprave penale kundër mjedisit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.


