Të paktën 47 persona kanë humbur jetën pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.7 që goditi Indonezinë mëngjesin e së shtunës, njoftuan autoritetet vendase.
Tërmeti u regjistrua pak para orës 05:00 me orën lokale në ishullin Flores, në provincën East Nusa Tenggara, në një thellësi prej rreth 15 kilometrash. Thellësia e vogël e lëkundjeve ka ndikuar në fuqinë shkatërruese të tërmetit në sipërfaqe.
Sipas agjencisë kombëtare të menaxhimit të fatkeqësive, qindra ndërtesa janë dëmtuar, ndërsa mbi 150 banesa raportohet se kanë pësuar dëme të rënda. Janë dëmtuar gjithashtu institucione arsimore, qendra shëndetësore, objekte kulti dhe ndërtesa të tjera publike.

Zona më e prekur është Manggarai, ku janë regjistruar 24 viktima. 17 persona kanë humbur jetën në East Manggarai, tre në Sikka, ndërsa viktima janë raportuar edhe në Ngada, Ende dhe West Manggarai. Disa persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Tërmeti u shoqërua nga dhjetëra pasgoditje, përfshirë një tërmet me magnitudë 6.1. Autoritetet lëshuan fillimisht edhe një paralajmërim për cunami, duke bërë që rreth 2,000 persona të largoheshin nga zonat bregdetare. Paralajmërimi u hoq rreth tre orë më vonë, pasi nuk u konstatua rritje e ndjeshme e nivelit të detit.
Autoritetet kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit dhe kanë paralajmëruar banorët të qëndrojnë larg ndërtesave të dëmtuara dhe zonave bregdetare.

Indonezia është një nga vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve dhe aktivitetit vullkanik, pasi ndodhet në një zonë ku takohen disa pllaka të mëdha tektonike.


