Situata e zjarreve në vend vijon të jetë shqetësuese. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 45 vatra zjarri, ndërsa 12 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe një tjetër është nën monitorim.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 72 automjete zjarrfikëse dhe 839 forca operacionale. Në ndihmë të ekipeve në terren janë angazhuar edhe 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Aktualisht, në operacione vijojnë të jenë të angazhuar 167 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Vatrat aktive
Në Dajt, pranë fabrikës së ujit në Selitë dhe mbi tunelet e Qafë-Mollës, vijon ndërhyrja për shuarjen e zjarrit në pyllin me pisha. Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe ADZM, të mbështetura nga dy helikopterë. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Priskë të Madhe, zjarri është shtrirë në drejtim të Gurrës, Farkës dhe Lundrës. Forcat tokësore dhe mjetet ajrore po vijojnë ndërhyrjen për izolimin e flakëve.
Në zonën Drenie–Lofkend–Ngracie, në Patos-Mallakastër, operacioni po vijon me forcat zjarrfikëse, strukturat vendore dhe efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Krujë, zjarri në lagjen Abaze vijon aktiv, ndërsa forcat e emergjencave dhe mjetet ajrore po punojnë për shuarjen e tij dhe mbrojtjen e zonave të banuara. Ndërkohë, në Krastë dhe Halil vijon ndërhyrja e strukturave vendore dhe Forcave të Armatosura.
Në Përmet, aktive janë dy vatra, në malin e Nëmërçkës mbi Biovizhdë dhe në malin e Dhëmbelit mbi Badilonjë. Terreni i vështirë malor e vështirëson ndërhyrjen, por sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Një operacion i gjerë nga toka dhe ajri po zhvillohet edhe në Gurë-Lurë, në bashkinë Dibër, ku janë angazhuar zjarrfikës, forca bashkiake, Policia e Shtetit, shërbimi pyjor, ADZM, AKMC, strukturat e emergjencave civile dhe vullnetarë. Në mbështetje të tyre janë 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë “Air Tractor”.
Në malin e Moravës, në Devoll, vijon puna për shuarjen e zjarrit në zonën me pyll pishe, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Mirditë, aktive mbeten vatrat në Valcë–Tenë dhe Trojë. Në operacione janë angazhuar forcat vendore, vullnetarët dhe efektivë të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, vatra në Vilëz të Kurbinit, pas ndërhyrjes nga toka dhe ajri, është kaluar në fazën e monitorimit.
Edhe në Vau të Dejës vijon puna për shuarjen e një zjarri në një zonë me pyll pishe.
AKMC dhe strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve nga toka dhe ajri, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe zonave të banuara, si dhe izolimin e vatrave aktive.


