Pamjet e aksidentit tragjik që i mori jetën një nëne 43-vjeçare dhe djalit të saj 21-vjeçar, me origjinë shqiptare, janë publikuar nga mediat greke. Videoja, e regjistruar nga kamera e një kamioni, tregon momentin e përplasjes fatale në rrugën nacionale Amfipoli–Drama, pranë zonës së Paleokomit.
Sipas autoriteteve greke, në aksident u përfshinë një automjet tip Volkswagen dhe një kamion. Përplasja ballore rezultoi fatale për dy shqiptarët, të cilët humbën jetën në vendngjarje.

Të dhënat paraprake tregojnë se automjeti drejtohej nga 21-vjeçari, ndërsa në sediljen e pasagjerit ndodhej nëna e tij. Ata ishin nisur herët në mëngjes drejt vendit të punës, por udhëtimi përfundoi në tragjedi.
Shoferi 56-vjeçar i kamionit ka deklaruar se po lëvizte në korsinë e tij kur automjeti që vinte nga drejtimi i kundërt humbi kontrollin dhe u fut në korsinë e tij. Ai ka pohuar se tentoi të shmangte përplasjen, por nuk arriti ta evitonte.
Pamjet filmike do të analizohen nga ekspertët për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Ndërkohë, drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Familja e viktimave jetonte prej vitesh në zonën e Paleokomit dhe ishte e njohur në komunitetin lokal. Ngjarja ka shkaktuar tronditje dhe dhimbje të madhe te të afërmit dhe banorët e zonës.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.
Video e nxjerrë në media nga brenda kamionit – CNN


