Një turist polak është shpëtuar me sukses në malin e Çikës, në Vlorë, pasi kishte mbetur i bllokuar për rreth 24 orë në një terren të thepisur dhe të vështirë për t’u përshkuar.
Sipas informacioneve paraprake, turisti kishte nisur një ditë më parë eksplorimin e zonës malore, por gjatë ecjes ka pësuar dëmtime, duke e pasur të pamundur të vazhdonte rrugën. Në këto kushte, ai ka kërkuar ndihmë.
Pas marrjes së njoftimit, autoritetet organizuan një operacion kërkim-shpëtimi, ku u angazhuan efektivë të Policisë së Vlorës, shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat e zonave të mbrojtura.
Pas disa orësh kërkimesh, ekipet arritën të lokalizonin turistin dhe nisën operacionin për nxjerrjen e tij nga zona e rrezikshme. Për shkak të terrenit tepër të vështirë dhe pamundësisë për transport tokësor, në operacion u përfshi edhe ndërhyrja ajrore.

Operacioni përfundoi me sukses dhe turisti polak u transportua në një zonë të sigurt, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore.
Mali i Çikës, me një lartësi prej 2,044 metrash, është një nga destinacionet më të frekuentuara nga adhuruesit e ecjeve malore, por njëkohësisht konsiderohet edhe ndër zonat më sfiduese për shkak të relievit të thepisur.


