Po shkonin në punë drejt bregdetit, aksidenti në Fushë Dukat i merr jetën 52-vjeçarit, 4 të plagosur
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në aksin Vlorë–Llogara, pranë Fushë Dukatit, ku një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:10, kur një furgon me targa AC 701 AJ, i drejtuar nga S.R., 22 vjeç, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një kanal anësor.
Në automjet udhëtonin punëtorë që ishin nisur nga Tirana drejt zonës së bregdetit, ku do të fillonin punën.
Përplasja ka qenë e fortë, duke deformuar rëndë furgonin. Disa nga pasagjerët mbetën të bllokuar mes llamarinave, ndërsa në vendngjarje ndërhynë ekipet zjarrfikëse, të cilat prenë pjesë të mjetit për të bërë të mundur nxjerrjen e tyre.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje I.H., 52 vjeç, ndërsa drejtuesi i mjetit dhe tre pasagjerë të tjerë u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën mjekësore. Të plagosurit janë identifikuar si S.H., 22 vjeç, Q.H., 44 vjeç, si dhe një tjetër person, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik.
Nga hetimet paraprake dyshohet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga humbja e kontrollit të mjetit si pasojë e përgjumjes së drejtuesit ose një problemi të papritur shëndetësor. Megjithatë, vetëm hetimet do të përcaktojnë shkakun e saktë të ngjarjes.

Shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor kanë kryer veprimet në vendngjarje, ndërsa, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik.
Njoftimi i Policisë:
*“Rreth orës 06:10, në aksin rrugor Vlorë–Llogora, në vendin e quajtur ‘Fushë Dukat’, një automjet tip furgon, me drejtues shtetasin S.R., 22 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje njëri prej pasagjerëve, shtetasi I.H., 52 vjeç.
Drejtuesi i mjetit dhe 3 pasagjerët e tjerë janë transportuar në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.”*
https://www.instagram.com/reel/DbP2Hi2qlrf/?igsh=MWdmdTM2anJtMXV1bg==


