Prej tre ditësh, një vatër zjarri vijon të jetë aktive në Parkun Kombëtar të Llogarasë, duke mbajtur në alarm autoritetet dhe duke rrezikuar një nga zonat më të rëndësishme natyrore të vendit.
Vatra ndodhet në zonën pyjore poshtë antenave, ku flakët janë riaktivizuar disa herë, pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme për shuarjen e tyre. Kjo ka vështirësuar neutralizimin përfundimtar të zjarrit dhe ka rritur rrezikun e përhapjes në sipërfaqe të tjera të parkut.
Sipas informacioneve nga terreni, situata mbetet problematike për shkak të relievit të vështirë dhe djegies nën shtresën e humusit. Edhe kur flakët në sipërfaqe shuhen, zjarri vijon të digjet në nëntokë dhe, në kushte të favorshme, riaktivizohet duke dalë sërish në sipërfaqe.
Pavarësisht angazhimit të strukturave përgjegjëse, zjarri ende nuk është vënë plotësisht nën kontroll. Ndërkohë, banorët dhe vizitorët e zonës shpresojnë që ndërhyrjet të japin rezultat sa më shpejt, për të shmangur dëme të mëtejshme në Parkun Kombëtar të Llogarasë, një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme të Shqipërisë.


