Një defekt i mundshëm në sistemin e frenimit ose një problem shëndetësor i drejtuesit të mjetit janë dy pistat kryesore që po hetohen për aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë në Unazën Lindore të Tiranës, ku humbën jetën dy punëtorë egjiptianë dhe u plagos një 28-vjeçar.
Ngjarja ndodhi te rrethrrotullimi i TEG-ut, ku kamioni i kompanisë Alba Beton, i pajisur me pompë për hedhjen e betonit, dyshohet se ka hyrë me shpejtësi në rrethrrotullim dhe nuk ka frenuar. Mjeti është përplasur me automjetin e drejtuar nga 28-vjeçari Roland Nuri, ka goditur barrierat mbrojtëse dhe ka përfunduar në nivelin e poshtëm të rrugës.
Si pasojë e përplasjes humbi jetën në vend drejtuesi i kamionit, ndërsa pasagjeri ndërroi jetë rreth një orë më vonë në spital.
Viktimat janë identifikuar si Mohamed Lotf, 30 vjeç, dhe Mohamed Ali, 44 vjeç. Të dy shtetasit egjiptianë kishin ardhur në Shqipëri rreth një muaj më parë për të punuar, me vizë pune dhe leje qëndrimi njëvjeçare. Sipas verifikimeve, Lotf dispononte patentë për drejtimin e kamionëve, ndërsa Ali ishte i pajisur me leje për të punuar si pompist.
Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit. Në pamje, sipas raportimeve, kamioni përplaset me automjetin e 28-vjeçarit dhe më pas me barrierat e rrethrrotullimit, duke përfunduar në pjesën e poshtme të aksit rrugor.
Hetuesit pritet të marrin në shqyrtim edhe rezultatet e ekspertizës mjekoligjore për viktimat, si dhe ekspertizën teknike të kamionit, për të përcaktuar nëse shkak i aksidentit ka qenë një problem me sistemin e frenimit apo një gjendje e papritur shëndetësore e drejtuesit.
Ndërkohë, 28-vjeçari që udhëtonte me një automjet tip Audi ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka marrë dëmtime të lehta, ndërsa automjeti i tij është shkatërruar plotësisht nga përplasja.


