Protesta e zhvilluar këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë është përshkallëzuar, ndërsa deputetët ndodheshin në seancë plenare.
Protestuesit janë përplasur me kordonin policor, duke hequr gardhet metalike dhe duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në zonën pranë kryqëzimit të “Rrugës së Elbasanit”.
Gjatë protestës, një pjesë e protestuesve kanë hedhur vezë, domate dhe shishe me ujë në drejtim të efektivëve të policisë. Sipas raportimeve paraprake, dy efektivë dyshohet se kanë mbetur të lënduar dhe janë shoqëruar me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
Situata ka vijuar të jetë e tensionuar edhe më vonë, ku protestuesit kanë qëlluar sërish me vezë dhe shishe uji në drejtim të kordonit policor. Në terren ndodhet edhe autoboti me ujë, ndërsa policia ka përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Forcat e rendit kanë vijuar të mbajnë kordonin policor përpara godinës së Kuvendit, ndërsa protesta vijon mes tensioneve dhe përplasjeve.
Ngjarja ka shkaktuar gjithashtu bllokim të përkohshëm të qarkullimit në zonën përreth, ndërsa situata vijon të monitorohet nga forcat e policisë.


