Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme te rrethrrotullimi i TEG-ut, ku një kamion pompë betoni është përplasur me një automjet dhe më pas ka çarë barrierat metalike mbrojtëse, duke rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:20. Si pasojë e aksidentit, njëri prej dy personave që udhëtonin në kamion dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dy personat që ndodheshin në kamion dyshohet se ata janë me shtetësi egjiptiane .Policia po punon për të përcaktuar nëse viktima ishte drejtuesi i mjetit apo pasagjeri.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, 28-vjeçari me iniciale R. N., është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


