Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e kësaj të premteje qytetin e Sarandës, ku një 50-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pas të shtënave me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të qytetit. I plagosuri është identifikuar si Thimjo Rubati, 50 vjeç, i cili është transportuar me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Burime bëjnë me dije se dyshohet për një atentat. Paraprakisht, 50-vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga persona që udhëtonin me një automjet. Pas sulmit, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas incidentit, Policia e Shtetit ka ngritur postblloqe dhe ka blinduar hyrje-daljet e Sarandës, ndërsa forca të shumta policore janë angazhuar në ndjekjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve, dokumentimin e ngjarjes dhe përcaktimin e motiveve që çuan në këtë sulm me armë zjarri.


