Një konflikt i ndodhur në një lokal në lagjen “Luigj Gurakuqi” në Elbasan ka përfunduar me plagosjen e një 59-vjeçari dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Sipas Policisë, një 43-vjeçar me inicialet M. A. është vënë në pranga pasi dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me thikë shtetasin R. B., 59 vjeç.
Menjëherë pas njoftimit se i plagosuri ishte paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, shërbimet e Policisë organizuan veprimet hetimore, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar. Gjatë operacionit u sekuestrua edhe thika që dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Policia arrestoi edhe 59-vjeçarin e plagosur për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi, sipas autoriteteve, ai nuk pranoi të japë shpjegime për rrethanat e konfliktit.
I plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.


