Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili parashikon që euro të bëhet monedha zyrtare e Shqipërisë pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Për herë të parë, projektligji përfshin një kapitull të posaçëm që rregullon kalimin në euro dhe përafrimin e plotë të Bankës së Shqipërisë me rregullat dhe funksionimin e Bankës Qendrore Evropiane (BQE).
Sipas nenit 91 të projektligjit, njësia monetare e Republikës së Shqipërisë do të jetë euro, ndërsa Banka e Shqipërisë do të jetë institucioni përgjegjës për hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime në administrimin e rezervës valutore. Pas adoptimit të euros, Banka e Shqipërisë do të menaxhojë rezervat sipas Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian, Statutit të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe akteve të Bankës Qendrore Evropiane.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me forcimin financiar të Bankës së Shqipërisë. Kapitali i saj propozohet të rritet nga 2.5 miliardë lekë në 6 miliardë lekë, ndërsa Rezerva e Përgjithshme nga 12.5 miliardë lekë në 30 miliardë lekë.
Aktualisht, euro është monedha zyrtare në 21 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa vende si Çekia, Hungaria, Polonia, Rumania, Suedia dhe Danimarka nuk e kanë adoptuar ende.
Shënim: Kalimi në euro do të realizohet vetëm pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përmbushjes së procedurave dhe kritereve përkatëse.


