Dy efektivë të Policisë së Shtetit kanë përfunduar në pranga, pasi një video e publikuar në rrjetet sociale ekspozoi veprimet e tyre dhe nxiti nisjen e një hetimi nga AMP që çoi në arrestimin në flagrancë.
Bëhet fjalë për D. B., 25 vjeç, dhe E. K., 23 vjeç, të dy me gradën inspektor dhe efektivë të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë. Ata dyshohen për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim detyre”, të kryera në bashkëpunim.
Sipas njoftimit zyrtar, gjithçka nisi pasi më 16 korrik 2026 në rrjetet sociale u publikuan pamje filmike që ngritën dyshime për sjelljen e dy efektivëve. Pas analizimit dhe verifikimit të materialit nga strukturat hetimore, u vendos arrestimi i tyre në flagrancë.
Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje, si dhe për të dokumentuar plotësisht përgjegjësitë penale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila do të vijojë me hetimet.


