Pesë kompani që ushtronin aktivitet në zonën e Dhërmiut janë ndëshkuar me pezullim të aktivitetit dhe gjoba nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT), pas konstatimit të shkeljeve që lidhen me ndotjen e mjedisit.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u zhvillua nga Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave, pas denoncimeve të qytetarëve për aktivitetet e fraksionimit dhe ndarjes së inerteve të gurit në zonë.
Nga kontrollet rezultoi se subjektet nuk kishin respektuar kushtet e përcaktuara në lejet mjedisore. Për këtë arsye, IKMT vendosi masa administrative ndaj kompanive Gjoka Konstruksion, Gjikuria, Anchor Beton, Eral Construction Company dhe Beton Express 2018, duke u vendosur si gjoba ashtu edhe pezullim të aktivitetit.
Në reagimin e saj, IKMT thekson se, në kulmin e sezonit turistik, të gjitha subjektet që operojnë në vijën bregdetare duhet të tregojnë kujdes maksimal për respektimin e detyrimeve ligjore ndaj mjedisit.
Institucioni paralajmëron se do të vijojë kontrollet dhe nuk do të tolerojë asnjë shkelje të legjislacionit në fushën e mjedisit, ndërtimit dhe pyjeve.


