Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të martë në Institucionin e Paraburgimit të Vlorës, ku një i paraburgosur ka humbur jetën pasi është ndjerë keq brenda ambienteve të institucionit.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është një shtetas 50-vjeçar nga Maqedonia e Veriut. Mësohet se ai ka shfaqur probleme shëndetësore, duke bërë që personeli i paraburgimit ta transportojë menjëherë me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 50-vjeçari ka mbërritur në spital pa shenja jete dhe është konstatuar i pajetë.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshimet e para lidhen me një arrest kardiak si shkak i humbjes së jetës. Gjithsesi, shkaku përfundimtar do të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një njoftim zyrtar për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.


