Një operacion i Guardia di Finanza ka goditur një rrjet të dyshuar të trafikut të drogës, duke çuar në sekuestrimin e mbi 111 kilogramëve kokainë, rreth 19 mijë eurove cash dhe arrestimin e tre personave, mes tyre edhe një shtetas shqiptar.
Operacioni u zhvillua nga efektivët e Komandës Provinciale të Ankonës, të cilët ndoqën një automjet të dyshimtë deri në zonën periferike të Parmës. Gjatë vëzhgimit, hetuesit konstatuan shkëmbimin e disa çantave të mëdha mes automjetit dhe një kamioni.
Gjatë kontrollit, lënda narkotike u gjet e fshehur në një hapësirë të posaçme të krijuar në kabinën e kamionit. Në total u sekuestruan 100 pako kokainë, me një peshë prej mbi 111 kilogramësh.
Sipas Guardia di Finanza, pas përzierjes dhe shpërndarjes në treg, sasia e drogës do të kishte gjeneruar fitime të paligjshme prej rreth 20 milionë eurosh.
Me urdhër të Prokurorisë së Parmës, u arrestuan dy personat që ndodheshin në automjet dhe drejtuesi i kamionit. Sipas autoriteteve italiane, të arrestuarit janë shtetas me origjinë shqiptare dhe rumune.
Të tre janë dërguar në burgun e Parmës, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut të drogës.


