Vatra e zjarrit në Novoselë është riaktivizuar sërish mëngjesin e kësaj të mërkure, duke rikthyer alarmin në zonë.
Nga pamjet e siguruara shihet një shtëllungë e madhe tymi që është ngritur mbi sipërfaqen e përfshirë nga flakët, ndërsa ekipet zjarrfikëse janë angazhuar për të mbajtur situatën nën kontroll.
Zjarri kishte rënë një ditë më parë në një sipërfaqe me shkurre, barishte dhe ullinj. Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve u bë e mundur izolimi i vatrës, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Megjithatë, për shkak të errësirës dhe kushteve në terren, zjarri nuk u shua plotësisht, çka solli riaktivizimin e tij në orët e para të mëngjesit.
Forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e plotë të flakëve, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër situatën për të shmangur rrezikun e përhapjes së zjarrit në zona të tjera.


