Një operacion i koduar “Lightning” ka çuar në goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Velë të Lezhës. Si rezultat i operacionit, policia arrestoi në flagrancë dy persona dhe asgjësoi gjithsej 174 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.
Sipas Policisë, në pranga ranë Marin Feta, 39 vjeç, pronar i banesës ku zhvillohej aktiviteti, dhe Anton Mashnori, 27 vjeç.
Gjatë kontrolleve u zbuluan pesë ambiente të përshtatura për kultivimin e kanabisit, ku në një prej tyre ishin kultivuar 119 bimë me ndihmën e llambave dhe pajisjeve që furnizoheshin përmes lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Në dy parcela pranë banesës u gjetën edhe 55 bimë të tjera.
Policia sekuestroi gjithashtu 2 armë gjahu, një automjet, 18 telefona celularë, pajisje për kultivimin në ambiente të mbyllura dhe një sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Në kuadër të hetimeve janë proceduar penalisht edhe katër punonjës të OSHEE-së, të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv”, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.


