Në kryeqytet është zhvilluar mbrëmjen e së martës protesta e 39-të radhazi kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ku pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit mbanin pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa përsëritën thirrjet për largimin e qeverisë dhe të klasës aktuale politike. Gjatë tubimit u dëgjuan edhe sloganet “Rama në burg, Berisha në burg”, duke kërkuar përgjegjësi për drejtuesit politikë.
Gjatë fjalës së tij, organizatori Arben Kola përdori një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke bërë deklarata provokuese dhe duke iu referuar simbolikisht ditës së 40-të të protestave. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të bojkotojnë koncertin e artistit Kanye West, që pritet të mbahet në Tiranë.
Pas fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin drejt Kryeministrisë, ndërsa tubimi u zhvillua nën praninë e forcave të policisë, të cilat monitoruan situatën për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë.
Protesta vjen në vijim të një serie tubimesh të përditshme kundër qeverisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë mobilizimin edhe në ditët në vijim.


