Një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe me barishte në fshatin Koxhas, në zonën e Fushë-Shijakut, duke bërë që autoritetet të angazhojnë pesë mjete zjarrfikëse për vënien nën kontroll të flakëve.
Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për banesa apo objekte të rrezikuara. Megjithatë, zjarri shkaktoi përkohësisht probleme në qarkullimin rrugor në autostradën Durrës–Tiranë, ku u krijuan radhë kilometrike automjetesh.
Flakët, të favorizuara nga era, përhapën sasi të mëdha tymi, duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë për drejtuesit e mjeteve. Pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, situata është normalizuar dhe qarkullimi në aks është rikthyer në normalitet.
Forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit dhe monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e flakëve.


