Gjykata e Tiranës ka dhënë këtë të shtunë masat e sigurisë për 19 personat e arrestuar gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit, dy ditë më parë.
Sipas vendimit, 12 protestues janë lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ndërsa për 2 persona është caktuar masa “arrest shtëpie”. Ndërkohë, për 5 prej të ndaluarve gjykata nuk ka vendosur asnjë masë sigurie, duke i lënë të lirë.
Gjykata e ka konsideruar të ligjshëm ndalimin e protestuesve nga Policia e Shtetit. Për personat që janë lënë në masën “detyrim paraqitjeje”, është vendosur që ata të paraqiten pranë autoriteteve një herë në muaj ose një herë në dy muaj, sipas rastit.
Vendimi vjen pas protestës së zhvilluar para Kuvendit, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje me forcat e policisë, ndërsa arrestimet e protestuesve shkaktuan reagime dhe protesta të tjera në kryeqytet.


