Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë ditës së sotme janë menaxhuar 16 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, ndërsa pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive, por ndodhen nën kontroll.
Sipas Ministrisë, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, strukturat operacionale po vijojnë punën për shuarjen përfundimtare të flakëve në zonat e prekura.
Në operacionet e zhvilluara në Hajdaraj-Synej (Kavajë), Drizë-Peshtan (Fier), Tale (Lezhë), Ulën (Elbasan), Divjakë dhe vatra të tjera janë angazhuar 261 efektivë, 40 automjete zjarrfikëse, dy helikopterë, si dhe forca të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, FNSH-së, Shërbimit Pyjor, strukturave vendore të emergjencave civile dhe shërbimeve shëndetësore.

Ministria e Mbrojtjes ka vlerësuar angazhimin e pilotëve, ekuipazheve të helikopterëve, efektivëve të Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësve të bashkive Fier, Kavajë, Lezhë, Kurbin, Elbasan, Divjakë, Rrogozhinë, Lushnjë, Durrës dhe Kamëz për kontributin e tyre në përballimin e situatës.
Autoritetet bëjnë të ditur se monitorimi dhe ndërhyrjet do të vijojnë deri në shuarjen e plotë të të gjitha vatrave aktive, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur shkaktimin e zjarreve gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta.



