Njëzet e një qytetarët e arrestuar gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit do të dalin këtë të diel para Gjykatës së Tiranës, ku në orën 09:30 do të zhvillohet seanca për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimit dhe caktimin e masave të sigurisë.
Grupi Koordinues i protestës dhe mbështetës të të arrestuarve kanë njoftuar se do të mblidhen përpara godinës së gjykatës për të shprehur solidaritetin e tyre gjatë zhvillimit të seancës.
Arrestimet e kryera pas protestës së të enjtes shkaktuan tensione edhe gjatë tubimit të mbrëmjes së djeshme. Pas përfundimit të marshimit, një grup protestuesish u drejtua pranë Komisariatit nr. 3 në rrugën “Mine Peza”, ku mbaheshin të ndaluarit.
Gjatë incidenteve u dëmtuan xhamat dhe dera hyrëse e komisariatit, ndërsa pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.
Sipas autoriteteve, 21 të arrestuarit përballen me akuza për shkatërrim prone, kundërshtim dhe goditje të punonjësve të Policisë për shkak të detyrës, prishje të rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të Policisë, si dhe pengim të qarkullimit rrugor.
Seanca e kësaj të diele pritet të zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa prania e protestuesve jashtë Gjykatës së Tiranës mund të sjellë një tjetër tubim në mbështetje të të ndaluarve.


