Konflikti mes palëve të përfshira në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës vijon të prodhojë tensione dhe pengesa në kantier. Mëngjesin e kësaj të marte, hyrja në aeroport është bllokuar për grupet e punës dhe nënkontraktorët e angazhuar nga kompania e biznesmenit Behgjet Pacolli, duke sjellë ndërprerje të aktivitetit normal në një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Sipas informacioneve paraprake, situata është shoqëruar me debate dhe përplasje verbale mes punonjësve që tentonin të hynin në kantier dhe përfaqësuesve të sigurisë që kontrollojnë aktualisht hyrjen në ambientet e aeroportit.
Në vendngjarje kanë qenë të pranishme forca të Policisë së Shtetit, të cilat kanë monitoruar zhvillimet dhe kanë ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Burime pranë projektit bëjnë me dije se tensionet lidhen me mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes aksionerëve dhe palëve të përfshira në ndërtimin e aeroportit, një situatë që prej muajsh ka krijuar paqartësi dhe pengesa në vijimin e punimeve.
Bllokimi i hyrjes për grupet e punës dhe nënkontraktorët ka ngritur shqetësime mbi ecurinë e projektit dhe respektimin e afateve të planifikuara për përfundimin e aeroportit, i cili konsiderohet një investim strategjik për zhvillimin ekonomik dhe turistik të jugut të Shqipërisë.


