Një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi u kap në posedim të një automjeti të denoncuar si i vjedhur.
Në pranga ka rënë shtetasi E.K., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Mirditës. Sipas burimeve policore, ai u ndalua teksa po tentonte të nxirrte nga bregu i një lumi një automjet që rezultonte i vjedhur në Korçë.
Gjatë verifikimeve, efektivët konstatuan se edhe targat e vendosura në mjet ishin të vjedhura dhe rezultonin të denoncuara në Elbasan. I arrestuari ka pretenduar se automjeti i kishte ngecur në lumë, por nuk ka dhënë shpjegime bindëse se si kishte përfunduar në posedim të një mjeti të vjedhur me targa po ashtu të vjedhura.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pretendimet e tij nuk janë mbështetur nga provat e mbledhura deri tani. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse automjeti është përdorur ose jo në ndonjë aktivitet kriminal.


