Momente tensioni janë regjistruar paraditen e kësaj të hëne para Bashkisë së Durrësit, ku përfaqësues të familjeve të komunitetit rom në Nishtullë kanë protestuar për vonesat në pagesën e bonusit të strehimit.
Sipas protestuesve, ata nuk e kanë përfituar bonusin prej rreth nëntë muajsh, duke u përballur me vështirësi të mëdha ekonomike dhe presion nga qiradhënësit. Banorët shprehen se mungesa e pagesave i ka vënë në rrezik për të humbur strehimin.
Pas protestës, një përfaqësi e banorëve u prit nga zyrtarë të bashkisë për të diskutuar shqetësimet dhe për të gjetur një zgjidhje për situatën. Sipas të dhënave, lista me rreth 90 përfitues pritet të firmoset nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, çka do të mundësojë kalimin e fondeve në llogaritë e familjeve.
Përfaqësues të shoqatës “Ushten” deklaruan se vonesat lidhen me procesin e verifikimit të dokumentacionit dhe me mosdisbursimin në kohë të fondeve nga institucionet përgjegjëse.
Ndërkohë, Bashkia e Durrësit ka bërë me dije se pagesat për përfituesit do të vijojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, me synim zgjidhjen e situatës për të gjitha familjet që përfitojnë nga skema e bonusit të strehimit.


