Foto ilustruese
Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një 37-vjeçari është regjistruar në aksin rrugor Lushnjë–Tiranë gjatë natës së kaluar.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 të datës 20 qershor, ku shtetasi me inicialet T. V., 37 vjeç, po lëvizte me biçikletë kur është përfshirë në një aksident të rëndë rrugor.
Burime nga Policia bëjnë me dije se 37-vjeçari dyshohet se fillimisht është përplasur nga një automjet i drejtuar nga shtetasi B. M., 41 vjeç. Pas përplasjes së parë, ai është goditur edhe nga një automjet tjetër që po qarkullonte në të njëjtin aks, me drejtues shtetasin F. M., 39 vjeç.
Për shkak të plagëve të marra nga përplasja e dyfishtë, 37-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje.
Pas aksidentit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në vendngjarje, ndërsa dy drejtuesit e automjeteve janë shoqëruar në komisariat dhe më pas janë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të sqaruar dhe dokumentuar plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.


