Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në Rrogozhinë, ku një 60-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti me fqinjin e tij.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:50 në lagjen “Mollaj”, ku dy shtetas, një 25-vjeçar dhe një 60-vjeçar, janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta. Gjatë përplasjes dyshohet se është përdorur një mjet prerës, duke i shkaktuar plagë të rënda viktimës.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, 60-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Pas marrjes së njoftimit, forcat e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, 25-vjeçarit.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, po vijon veprimet procedurale dhe hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe shkaqet që çuan në konfliktin fatal.


