Pas protestës së madhe të zhvilluar në ditën e 21-të të mobilizimit qytetar, një pjesë e protestuesve vendosën të qëndrojnë gjatë natës para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
Shumica e tyre ishin shqiptarë të ardhur nga diaspora, të cilët iu bashkuan protestës së së shtunës për të shprehur mbështetjen ndaj kërkesave të ngritura nga qytetarët. Pas marshimeve të zhvilluara në zonën e Kryeministrisë dhe rreth Piramidës së Tiranës, disa protestues zgjodhën të mos largoheshin, duke kaluar natën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pamjet e mëngjesit të së dielës tregojnë protestues që vijojnë të qëndrojnë pranë godinës së Kryeministrisë, duke e kthyer protestën në një formë të vazhdueshme qëndrese.
Pjesëmarrja e diasporës ishte një nga elementët më të spikatur të protestës së ditës së 21-të. Dhjetëra emigrantë mbërritën në Tiranë nga vende të ndryshme të Europës me automjete të zbukuruara me flamuj kombëtarë, duke iu bashkuar tubimit në kryeqytet.
Prej tre javësh, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e aksioneve qytetare edhe në ditët në vijim.
Ndryshe nga netët e mëparshme, protesta nuk u shoqërua me marshime në rrugët e kryeqytetit, por me një marshim rrethues rreth Kryeministrisë, përpara se një pjesë e pjesëmarrësve të vendosnin të qëndronin gjatë gjithë natës në shesh.


