Dy ditë para protestës së paralajmëruar nga aktivistët dhe qytetarët, është hequr porta metalike dhe gardhi me tela që prej kohësh bllokonin hyrjen në plazhin e Gjirit të Kakomesë.
Pamjet e siguruara nga mediat tregojnë momentin kur porta metalike është larguar me ndihmën e një vinçi, ndërsa janë hequr edhe telat rrethues që kufizonin aksesin drejt një prej zonave më të frekuentuara të bregdetit shqiptar.
Protesta ishte njoftuar për të kërkuar heqjen e pengesave dhe garantimin e aksesit të lirë të qytetarëve në plazhin e Kakomesë. Heqja e portës ka ardhur vetëm pak ditë përpara zhvillimit të saj, duke ngjallur reagime të shumta.
Kompania “Riviera” e zotëron këtë pronë prej rreth 18 vitesh, pasi e ka marrë me qira nga shteti shqiptar për 99 vite në një proces që ka qenë objekt debatesh dhe polemikash ndër vite.
Ndërkohë, sipas raportimeve ende të pakonfirmuara zyrtarisht, ka qenë Bashkia e Himarës ajo që ka ndërhyrë për largimin e portës dhe gardhit metalik. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi këtë veprim.


