Protesta kundër qeverisë ka vijuar edhe këtë të premte në Tiranë, duke shënuar ditën e 20-të radhazi të mobilizimit qytetar. Qindra aktivistë dhe qytetarë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë.
Me pankarta dhe flamuj në duar, protestuesit përshkuan bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa gjatë marshimit nuk munguan thirrjet kundër qeverisë. “Erdhi uragani, Erdhi rinia”, “Çohuni djema”, “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi” dhe “Rama prite popullin se po vjen” ishin disa nga sloganet e dëgjuara gjatë protestës.
Pasi mbërritën para godinës së Kryeministrisë, protestuesit u pozicionuan për të mbajtur fjalimet e radhës, ku përsëritën kërkesën e tyre kryesore për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në politikat që, sipas tyre, prekin mjedisin dhe zonat e mbrojtura.
Një ditë më parë, marshimi i qytetarëve u zhvillua fillimisht drejt Parlamentit dhe më pas para Kryeministrisë, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë çdo ditë në orën 19:00 deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Protesta po zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa pjesëmarrësit kanë paralajmëruar se aksioni qytetar do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.


