Policia Kufitare ka ndërmarrë kontrolle të shtuara ndaj mjeteve ujore në zonën e Sarandës dhe Ksamilit, duke bllokuar tetë mjete të tipit “Jet Car” për verifikime teknike dhe ligjore.
Sipas informacioneve paraprake, mjetet e sekuestruara për kontroll dyshohet se mund të kenë fuqi motorike më të lartë se ajo e lejuar nga rregulloret në fuqi. Për këtë arsye, autoritetet kanë nisur procedurat e verifikimit për secilin prej tyre, ndërsa në rast konstatimi të shkeljeve do të merren masa ndaj pronarëve apo përdoruesve të mjeteve.
Aksioni i Policisë Kufitare vjen një ditë pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Ksamil, ku një 22-vjeçar humbi jetën pas përplasjes me një mjet të Policisë Kufitare.
Autoritetet pritet të përcaktojnë në ditët në vijim nëse mjetet e bllokuara përmbushin standardet teknike dhe kriteret ligjore për lundrim, ndërsa kontrollet në zonat turistike bregdetare vijojnë në kuadër të rritjes së sigurisë gjatë sezonit veror.


