Protesta kundër qeverisë dhe projektit turistik në zonën e Pishë Poro-Sazanit ka hyrë sot në ditën e saj të 16-të. Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa protestuesit përsëritën kërkesat e tyre kryesore, që lidhen me largimin e qeverisë, shfuqizimin e ligjeve për investitorët strategjikë, Paketën e Maleve, si dhe ndryshimet në ligjet për Zonat e Mbrojtura dhe Trashëgiminë Kulturore.
Edhe pse me më pak pjesëmarrës se një ditë më parë, protesta vijoi me fjalime dhe akuza ndaj institucioneve shtetërore. Një natë më herët, tubimi u shndërrua në protestën më të gjatë deri tani, duke zgjatur afro shtatë orë dhe duke kulmuar me marshimin drejt aeroportit të Rinasit.
Ndërkohë, çështja e projektit në Pishë Poro-Nartë po ndiqet edhe nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare. Komisioni Europian ka kërkuar vlerësim të plotë mjedisor, ndërsa SPAK po heton procedurat që lidhen me projektin dhe transaksionet financiare përkatëse.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke theksuar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.


