Për të 13-ën ditë me radhë, qytetarë nga Tirana dhe zona të tjera të vendit janë mbledhur sërish në kryeqytet për të vijuar protestën e tyre kundër qeverisë.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit u grumbulluan në Sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në drejtimin e vendit.
Gjatë tubimit, qytetarët përsëritën kundërshtimin ndaj politikave që, sipas tyre, favorizojnë interesat private në dëm të pasurive publike dhe zonave të mbrojtura. Në fokus të reagimeve vijon të mbetet edhe projekti turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, i cili u bë shkaku fillestar i mobilizimit qytetar.
Protestuesit kanë artikuluar një sërë kërkesash, mes të cilave shfuqizimin e ligjeve që lidhen me investitorët strategjikë, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe atë për trashëgiminë kulturore, si dhe largimin e qeverisë aktuale.
Sipas organizatorëve, protesta do të vijojë përgjatë mbrëmjes me marshime në rrugët kryesore të Tiranës, ndërsa është paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim deri në realizimin e kërkesave të tyre.


