Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar rifillimin e sulmeve ndaj Iranit, duke e akuzuar Teheranin për rrëzimin e një helikopteri ushtarak amerikan Apache dhe për zvarritjen e negociatave mes dy vendeve.
Gjatë një deklarate nga Shtëpia e Bardhë, Trump u shpreh se Uashingtoni ka të drejtë të reagojë pas incidentit me helikopterin, duke shtuar se SHBA do të veprojë me forcë kundër Iranit.
Në një postim në rrjetet sociale, presidenti amerikan deklaroi se Irani ka humbur mundësinë për të arritur një marrëveshje të favorshme dhe paralajmëroi se vendi do të “paguajë çmimin” për refuzimin e saj.
Trump gjithashtu pretendoi se kapacitetet ushtarake Iraniane janë dobësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit, ndërsa bëri të ditur se po shqyrton mundësinë e goditjeve të reja ndaj infrastrukturës strategjike Iraniane.
Megjithatë, nga Shtëpia e Bardhë është bërë e ditur se kontaktet diplomatike me Teheranin vazhdojnë ende, pavarësisht përshkallëzimit të retorikës. Zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se administrata do të vazhdojë të ushtrojë presion maksimal për të arritur një marrëveshje.
Deklaratat e fundit vijnë vetëm pak ditë pasi Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance kishin lënë të kuptohej se një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit mund të arrihej në të ardhmen e afërt.


