Një helikopter ushtarak i ushtrisë amerikane është rrëzuar pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret detare më strategjike në botë, ndërsa dy pilotët që ndodheshin në bord kanë shpëtuar pa lëndime.
Lajmi u konfirmua nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili deklaroi se ekuipazhi është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se autoritetet amerikane do të publikojnë më vonë një raport zyrtar mbi incidentin.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, bëhet fjalë për një helikopter luftarak Apache, ndërsa rrethanat e rrëzimit mbeten ende të paqarta. Nuk dihet nëse ngjarja është shkaktuar nga një problem teknik, një aksident operacional apo faktorë të tjerë.
Incidenti ndodh në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, vetëm një ditë pasi Irani dhe Izraeli njoftuan ndërprerjen e sulmeve reciproke pas thirrjeve për armëpushim.
Ndërkohë, administrata amerikane po vazhdon përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje me Teheranin, me presidentin Trump që deklaroi se një zhvillim i rëndësishëm në këtë drejtim mund të vijë brenda pak ditësh.
Deri tani, autoritetet ushtarake amerikane nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi shkakun e rrëzimit të helikopterit.


