Kundërshtimi ndaj ndryshimeve ligjore që prekin zonat e mbrojtura dhe projekteve të diskutueshme turistike ka hyrë në ditën e dhjetë, me qytetarë dhe aktivistë që vijojnë protestat në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit.
Pasditen e së martës, dhjetëra qytetarë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistë mjedisorë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë. Gjatë tubimit, protestuesit shprehën kundërshtimin ndaj politikave që, sipas tyre, rrezikojnë zonat e mbrojtura dhe pasuritë natyrore të vendit.
Lëvizja protestuese nuk është kufizuar vetëm në kryeqytet. Tubime të ngjashme janë zhvilluar edhe në Korçë, Vlorë dhe Elbasan, duke treguar një zgjerim të mobilizimit qytetar në nivel kombëtar.
Protestat nisën si reagim ndaj projektit të planifikuar në zonën e Pishë Poros dhe ishullit të Sazanit, por me kalimin e ditëve janë shndërruar në një platformë më të gjerë kundërshtimi ndaj vendimeve të qeverisë në fushën e mjedisit, pronave dhe zhvillimit turistik.
Organizatorët kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, ndër të cilat largimin e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, si dhe ndryshimet e bëra në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe atë për Trashëgiminë Kulturore.
Ndërkohë, çështja ka tërhequr vëmendjen edhe të institucioneve europiane. Komisioni Europian ka bërë të ditur se po monitoron zhvillimet në zonën Pishë Poro–Nartë dhe po shqyrton ndikimin e mundshëm mjedisor të projektit. Sipas informacioneve zyrtare, procesi është ende në fazë verifikimi dhe punimet mbeten të pezulluara deri në përfundimin e vlerësimeve përkatëse.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti nuk ka marrë ende miratimin përfundimtar dhe se aktualisht ndodhet në fazën e konsultimeve. Sipas tij, investimi përfaqëson një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Paralelisht, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po zhvillon verifikime mbi transaksionet financiare dhe çështjet e pronësisë që lidhen me projektin. Në kuadër të hetimeve, është vendosur sekuestro mbi 195 milionë dollarë, ndërsa po shqyrtohet dokumentacioni ligjor për tokat e përfshira.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse.


