Federata e Futbollit e Iranit ka reaguar ashpër pasi, sipas saj, kuota e biletave e rezervuar për tifozët iranianë në Kupën e Botës 2026 është tërhequr vetëm pak ditë para nisjes së turneut.
Në një deklaratë zyrtare, federata iraniane bëri me dije se procesi i shpërndarjes së biletave kishte nisur prej kohësh dhe shumë tifozë kishin organizuar tashmë udhëtimet për të ndjekur nga afër ndeshjet e kombëtares së tyre.
Sipas autoriteteve sportive iraniane, ky vendim bie ndesh me parimet e barazisë dhe frymën e garës ndërkombëtare, ndërsa ngre pikëpyetje për ndikimin e faktorëve politikë në organizimin e eventit më të madh të futbollit botëror.
Irani do të zhvillojë dy ndeshjet e para të Grupit G në Los Anxhelos, përballë Zelandës së Re më 15 qershor dhe Belgjikës më 21 qershor, ndërsa më 26 qershor do të përballet me Egjiptin në Seattle.
Situata vjen në një moment të ndjeshëm për përfaqësuesen iraniane, pasi tensionet gjeopolitike në rajon dhe procedurat e vizave kanë krijuar pasiguri për pjesëmarrjen e delegacionit në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse lojtarët morën vizat e nevojshme javën e kaluar, disa anëtarë të stafit nuk kanë mundur të pajisen ende me dokumentacionin përkatës.
Federata iraniane i ka kërkuar FIFA-s të garantojë neutralitetin dhe respektimin e rregullave për të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse, ndërsa deri tani organizmi botëror i futbollit nuk ka dhënë një reagim zyrtar mbi pretendimet e ngritura.


