Policia e Vlorës ka arrestuar autorin e dyshuar të plagosjes së një 26-vjeçari, ngjarje e ndodhur më 7 qershor në lagjen “24 Maji” .Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Grupi”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (FNSH) dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës. Operacioni kishte si objektiv goditjen e një grupi të dyshuar kriminal.
Në pranga ka rënë shtetasi T.A., 55 vjeç, i cili dyshohet se plagosi me armë zjarri 26-vjeçarin F.L. pranë rrethrrotullimit të lagjes “24 Maji”. Sipas hetimeve, autori i është afruar të riut me motor dhe i veshur me kaskë, në momentin kur ai po dilte nga një lokal dhe po shkonte drejt automjetit të tij. Më pas ka hapur zjarr, duke e plagosur në këmbë, dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Gjatë operacionit u arrestua edhe D.Ç., 48 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim. Të dy personat dyshohen për disa vepra penale, mes tyre plagosje e rëndë me dashje, armëmbajtje pa leje, përkrahje e autorit të krimit dhe veprimtari të lidhura me lëndët narkotike.
Nga kontrollet e kryera, policia sekuestroi katër armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, shtatë telefona celularë, 1.850 euro si dhe tre automjete, mes të cilave edhe një mjet i blinduar.
Sipas hetimeve, një automjet tip “BMW X5”, i sekuestruar gjatë operacionit, rezulton të jetë përdorur nga autori për t’u larguar pas plagosjes së 26-vjeçarit.
Policia dhe Prokuroria e Vlorës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal të grupit dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje.


