Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, ka bërë thirrje për angazhim konstruktiv nga liderët politikë në Kosovë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare.
Përmes një reagimi publik, Kallas vlerësoi procesin zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse kanë krijuar mundësinë për t’i dhënë fund ngërçit politik që ka zgjatur prej më shumë se një viti.
Sipas saj, përgjegjësia tani bie mbi forcat politike, të cilat duhet të punojnë për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe krijimin e një qeverie funksionale.
“Zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse të Kosovës hapin derën për të kthyer faqen pas më shumë se një viti bllokimi politik. Udhëheqësit politikë tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin e shpejtë të qeverisë”, është shprehur Kallas.
Ajo nënvizoi gjithashtu se përparimi në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, mbeten elementë kyç për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Deklarata e zyrtares së lartë evropiane vjen në një moment të rëndësishëm politik për Kosovën, ndërsa pritet nisja e konsultimeve për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.



