Gjyqtari somalez Omar Artan, i përzgjedhur për të gjykuar në Kupën e Botës, është ndaluar të hyjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas mbërritjes në aeroportin ndërkombëtar të Miamit.
Lajmi u konfirmua nga autoritetet amerikane të Doganës dhe Mbrojtjes Kufitare (CBP), të cilat bënë me dije se arbitri iu nënshtrua kontrolleve shtesë gjatë procedurave të hyrjes në vend dhe më pas u shpall i papranueshëm për shkak të shqetësimeve që lidhen me procesin e verifikimit.
Edhe pse CBP nuk e përmendi emrin e tij, FIFA konfirmoi më vonë se bëhej fjalë për Omar Artan, arbitrin e vetëm nga Somalia i përzgjedhur për këtë Botëror.
Sipas autoriteteve amerikane, të gjithë personat që kërkojnë të hyjnë në SHBA, përfshirë sportistë, trajnerë dhe zyrtarë të garave ndërkombëtare, i nënshtrohen procedurave të kontrollit dhe verifikimit të sigurisë.
Në një reagim publik, Artan u shpreh se mbetet i fokusuar në karrierën e tij si arbitër, pavarësisht situatës.
“Pavarësisht rrethanave, jam pozitiv dhe i përqendruar te sfidat e ardhshme në karrierën time. Falënderoj FIFA-n dhe Konfederatën Afrikane të Futbollit për mbështetjen”, deklaroi ai.
Ndërkohë, FIFA sqaroi se nuk ka rol në proceset e emigracionit të vendeve pritëse dhe se vendimi për dhënien e vizave apo lejimin e hyrjes në territor mbetet kompetencë ekskluzive e autoriteteve shtetërore.
Rasti vjen në një moment kur administrata amerikane po përballet me sfida të shumta lidhur me politikat e emigracionit, ndërsa organizimi i Kupës së Botës kërkon menaxhimin e hyrjes së mijëra sportistëve, zyrtarëve dhe tifozëve nga e gjithë bota.


