Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga qytetarët për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi në Kamëz.
Sipas njoftimit zyrtar, personi i dyshuar është Sadik Llani, i cili konsiderohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dyshohet se është i armatosur.
Për kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po zhvillojnë kontrolle intensive në terren.
Policia u bën thirrje qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që, në rast se e shohin ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e të dyshuarit, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë për shkak të rrezikshmërisë së tij, por të njoftojnë menjëherë autoritetet.
Për çdo informacion që mund të çojë në lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, Policia e Tiranës ka vënë në dispozicion numrin 069 41 05 735 dhe numrin pa pagesë 112.
Gjithashtu, autoritetet kanë njoftuar se do të ofrojnë një shpërblim prej 10 mijë eurosh për informacionin e saktë që do të ndihmojë në kapjen e tij, duke garantuar ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo qytetar që bashkëpunon me policinë.
Ndërkohë, operacioni për kapjen e të dyshuarit vijon në disa zona të kryeqytetit dhe periferisë së tij.


