Mijëra qytetarë janë mbledhur pasditen e kësaj të diele në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në kuadër të protestës së tetë kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Të pajisur me pankarta dhe flamuj kombëtarë, protestuesit nisën grumbullimin në orët e pasdites, ndërsa marshimi ishte parashikuar të fillonte nga sheshi qendror i kryeqytetit dhe të vijonte përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me ndalesë përpara godinës së Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit në protestë kundërshtojnë projektin e propozuar për Zvërnecin dhe kanë paraqitur një sërë kërkesash drejtuar institucioneve shtetërore, duke e lidhur kauzën e tyre me çështje të mbrojtjes së mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe politikave të zhvillimit.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë dorëheqja e qeverisë, shfuqizimi i kuadrit ligjor për statusin strategjik, anulimi i paketës së maleve, si dhe anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Protesta zhvillohet në të njëjtën kohë kur kryeministri Edi Rama ndodhet në Elbasan në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste. Gjatë një deklarate publike, ai u shpreh se qytetarët e Vlorës mbështesin zhvillimin e zonës së Zvërnecit, duke kërkuar që debati të mos keqinterpretohet.
Ndërkohë, organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje paqësore, ndërsa forca të shumta policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit dhe garantimin e rendit publik.


