Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim urgjent për qytetarët, pas raportimeve të shumta për mesazhe mashtruese që pretendojnë se marrësit kanë gjoba rrugore ose detyrime administrative të papaguara.
Sipas autoriteteve, gjatë ditës së sotme shumë qytetarë kanë denoncuar marrjen e mesazheve SMS, në të cilat u kërkohet të kryejnë pagesa për gjoba të pretenduara si të pashlyera. Mesazhet përmbajnë lidhje (linke) që i drejtojnë përdoruesit në faqe interneti të falsifikuara, të krijuara për të imituar faqet zyrtare të institucioneve shtetërore.
Menjëherë pas denoncimeve, strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit kanë nisur verifikimet dhe hetimet për identifikimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Sipas policisë, bëhet fjalë për një formë mashtrimi kibernetik të njohur si “Smishing”, përmes së cilës qytetarët mashtrohen duke besuar se kanë detyrime të papaguara, gjoba rrugore apo procedura administrative në pritje.
Autorët synojnë të përvetësojnë të dhënat personale dhe bankare të qytetarëve, të cilat më pas mund të përdoren për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe për vjedhjen e fondeve nga llogaritë bankare.
Policia sqaron se fondet bankare nuk mund të vidhen vetëm nga marrja e një mesazhi SMS. Rreziku lind në momentin kur qytetari klikon mbi lidhjen mashtruese dhe plotëson në faqen e rreme të dhënat e kartës bankare, kredencialet e internet banking-ut, kodet e sigurisë ose kodet e verifikimit të dërguara nga banka.
Për këtë arsye, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo financiare në faqe të paverifikuara dhe të mos ndajnë me askënd PIN-et apo kodet e sigurisë bankare.
Autoritetet këshillojnë gjithashtu që çdo njoftim i tillë të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve përkatëse. Në rast se një qytetar ka plotësuar të dhëna bankare në një faqe të dyshimtë, ai duhet të kontaktojë menjëherë bankën e tij dhe të raportojë rastin pranë Policisë së Shtetit.
Policia thekson se lufta kundër krimit kibernetik dhe mbrojtja e qytetarëve në hapësirën dixhitale mbeten prioritete, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve të kësaj skeme mashtrimi vijojnë.



