Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Violand Braçellarin, autorin e dyshuar të vrasjes së efektivit të forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, si dhe plagosjes së kolegut të tij, Edison Adri.
Seanca gjyqësore është zhvilluar këtë të shtunë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku 41-vjeçari ndodhet i shtruar pas plagëve të marra gjatë përplasjes me forcat e policisë në fshatin Lozhan të Maliqit, më 4 qershor.
Sipas vendimit të gjykatës, arresti në flagrancë i Braçellarit është vlerësuar i ligjshëm. Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një operacioni policor për kapjen e 41-vjeçarit. Sipas hetimeve paraprake, Braçellari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të efektivëve, duke i marrë jetën Enea Mekollit dhe duke plagosur kolegun e tij, Edison Adri.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi që ndaj tij të zbatohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa ekzekutimi i vendimit i është ngarkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Vendimi i plotë i gjykatës:
1. Vleftesimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim V.B, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit”, “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit” ngelur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në ambiente publike dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” në formën e mbajtjes së armës së gjuetisë dhe municionit, parashikuar prej neneve 79/b, 79b-22, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.
2. Caktimin ndaj personit nën hetim V.B, të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
3. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.
U shpall nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës Tiranë, sot më datë 07.06.2026.


