Pas denoncimeve të bëra nga banorë të zonës në redaksinë e “VROJTUESIT” , Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka gjobitur kompaninë “Gjikuria” për hedhjen e dherave dhe mbetjeve inerte në krye të fshatit Dhërmi.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria Qendrore e IKMT-së zhvilloi një inspektim në zonë, ku konstatoi një venddepozitim të paligjshëm mbetjesh inerte dhe dherash të dala nga gërmimet. Gjatë verifikimeve rezultoi se subjekti nuk ishte i pajisur me Leje Mjedisi të tipit B, sipas kërkesave ligjore.
Për shkeljet e konstatuara, IKMT vendosi masë administrative me gjobë në vlerën 1 milion lekë ndaj kompanisë “Gjikuria”. Po ashtu, është urdhëruar pezullimi i aktivitetit deri në pajisjen me lejen përkatëse mjedisore.
Institucioni ka ngarkuar kompaninë edhe me detyrimin për të rehabilituar zonën dhe për të eliminuar pasojat e shkaktuara nga depozitimi i inerteve në territorin e Dhërmiut.
Rasti ka sjellë reagime nga qytetarë dhe ambientalistë, të cilët prej kohësh kanë ngritur shqetësimin për ndotjen dhe dëmtimin e zonave turistike në jug të vendit.


